MATI NË BOTËN E “LIVING”

MATILDA TERPOLLARI (CARA)

Autore e programit “LIVING” në Vizion +

Nuk është bota e çudirave, është bota e thjeshtë e “Living”,programi që tingëllon si pranverë, ka si autore Matildën, por që askush nuk e njeh, përveç atyre që shohin me vemendje titrat në fund të emisionit. 

Emisioni “Living” në Vizion+vjen aq ëmbël pikërisht sepse vjen thjeshtë, ngadalë, qëndron në tema të lehta, nuk të lodh… “Mendova fillimisht që duhet të merresha me kënaqësitë e vogla të ditës, rrëfen Matilda, duke filluar me dilema të tipit “Do të pi çaj apo kafe?!”, çfarë të vesh, si të kombinoj ngjyrat dhe modelet në veshje, çfarë të gatuaj, si ti vendos në pjatë, si ti kompozoj bukur, dhe, i zgjidhim këto dilema të vogla duke e zhvilluar si subjekt me vete në një emision”.

Madje edhe “të famshmit” që vijnë aty, detyrohen të sillen thjeshtë, teksa flasin për ushqimet e preferuara, për ngjyra dhe pasione. “Fillimisht mendova të mos kisha njerëz të famshëm në emission, tregon Matilda, sepse kam besuar se stili nuk është pronë e njerëzve të famshëm domosdoshmërisht. Kam zbuluar shumë njerëz të thjeshtë, që jetonin shumë bukur, por që dritat e skenën nuk ishin hedhur kurrë tek ata” vijon ajo.

“Këtë kam bërë unë për tre vite rresht, nuk pata asnjë “VIP” në emision, dhe, për këtë kam patur kosto të shtuara në punë sepse më thoshin, pse nuk merr “të famshëm”. E pavarësisht se sot i kam marrë, “të famshmit” që ftoj në emision flasin për shtrim tavoline, bukë me vete, se si ia bën gjellën burri, si i bën biskotat vjerra, qesh ajo. Kemi të famshëm që na kanë hapur derën e shtëpisë dhe na kanë treguar çpo gatuajnë.  Sepse ne në “Living” i nxjerrim anën e tyre të përditshme njerëzore dhe i bëjmë të flasin për tema mbi të cilat ata nuk kanë folur kurrë diku tjetër. Nëse do të  jenë aty, thekson Matilda,  do të flasin si njerëz të zakonshëm”. 

Sa herë ndeshem me Matildën në ashensor, më vjen në mendje thjeshtësia e emisionit të saj, i cili vjen aq natyrshëm thuajse si kjo ngjitje  në ashensorin e pallatit tonë me qesen e pazarit në dorë… 



Për THE GOOD PSYCHOLOGY, Meri Dishnica

Leave a Comment