MBRËMJE NË KOMITET

21:15, “paraqitem” në Komitet. Ishte një pasdite Tetori, që ngjante më shumë si Maj. Kisha marrë urdhër të qartë për të konsumuar raki sherebele. Një raki çudibërëse, që sapo e provoje të çonte nëpër majat e maleve, aty ku mblidheshin tufat me sherebelë, që do të përdoreshin më pas për të kryer infuzionin. Urdhrat ishin të qarta dhe rakia ishte e mirë, në KOMITET.

 

E vërtetë që kjo hyrje mund të duket e çuditshme, por në fakt Komiteti është realisht një skutë e veçantë, dhe, fare lehtë mund të zhvendosesh në kohë, të futesh në rol, të imagjinosh veten në Komitetin e Partisë së Punës, duke kryer kushedi ç’detyrë partie…

 

E pastaj të të kujtohet gjyshja, sepse sheh aty në bufe, gotat e gjyshes, filxhanin e hallës nga fshati, e më tutje shkel mbi qilimin e tezes, enët dekorative të bakrit, peshqit me ngjyra të fabrikës së qelqit të Kavajës, tablotë nga Artistike Migjeni me ata lejlekët para të cileve kujton veten tek humbje minuta të tëra duke i parë.

 

Më tej sheh detajet nëpër afreskë, mozaikë, tavanë, kasketa me gjurmë plumbash, më tej një koleksion me modelet e televizorëve dhe emrat e tyre të çuditshëm, një tjetër koleksion radiosh Iliria në të gjitha ngjyrat.

 

Një “muze” që nuk  e pret kur hyn në një bar pranë rrugës së Elbasanit.  Ky vend i veçantë, që nuk ka kaluar pa rënë në sy as tek turistët e tuaj, të cilët e kanë kthyer në një pikë referimi.

 

Arbër Cepani, ka nisur të koleksionojë objekte prej kohësh, si hobi personal por edhe si qasje drejt historisë dhe detajeve të saj. Pas shumë “mbledhjesh” ai e gjeti veten të kthyer në një koleksionist të mirëfilltë dhe vendosi ta ndajë këtë pasion edhe me të tjerët.

“Ideja e këtij lokali lindi si një risi, i konceptuar si një objekt i trashëgimisë lokale, për të kultivuar e promovuar vlerat kulturore të traditës shqiptare ” shprehet Arbëri për Komiteti Kafe Muzeum.

Më tej Arbëri thotë se po “zgjeron” rrezen e Komitetit edhe në qytete të tjera të Shqipërisë sonë të vogël e të larmishme, qytete sharmante si Berati, Gjirokastra etj. E ndërkohë këtë fund Tetori rihapet më i madh dhe i bukur Komiteti i Korçës.

 

Një ambient  i tillë nuk mund të ishte i plotë pa produktet origjinale të po asaj kohe, si infuzionet e rakisë, likernat aromatikë që gjyshja përdorte për të qerasur miqtë apo edhe karamele Zana. Arbëri shprehet se e ka patur të vështirë të gjejë nëpër Shpipëri, prodhues të denjë të produkteve organike sipas mënyrave tradicionale,me aroma, shije, teknika dhe mënyra që vetëm ata pleqtë me bastun i dinë.

 

Një yll i vogël me gjashtë cepa gjendet në logon e Komitetit së bashku me simbole të tjera, shpjegimi i të cilave kërkon patjetër një pesë minutësh intensiv vëmendeje. Arbëri është kujdesur të ketë “një balancë” në logon Komitetit, asnjë balancë që nuk mund të prishet nëse provon rakinë e pasionit.  Një tjetër raki që Komiteti ta jepte me detyrim…

 

nga Meri Dishnica

 

 

 

 

 

NDALOHET RIPUBLIKIMI !!!

Leave a Comment