JE ME NERVA?! E KA FAJIN SINDROMA E PAS-PUSHIMEVE

Nga Meri Dishnica

 

Sindroma e pas-pushimeve është vetëm pak mërzi, asgjë më shumë…

 Ndodh ndërsa e gjen veten duke u ankuar vazhdimisht se ndihesh keq, se ndihesh bosh, se ç’të mundon a ç’të mungon…

Është ajo ndjenja e plogështisë kur sapo kthehesh në shtëpi pas një pushimi të këndshëm dhe nuk “të mban shtëpia”, nuk rri dot brenda, të duhet ajër…

 Sa i më gjatë udhëtimi, aq më e thellë sindroma, aq më e vështirë të rifutesh në linjën e përditshmërisë së bekuar.

Të vijnë në mendje kujtimet dhe fillojnë të krijojnë një kontrast mes asaj “çfarë ishte” dhe “çfarë është”, “ku ishe” dhe “ku je”. Është si një ndjenjë komplekse, që edhe pse me fytyrë të shndritshme e të relaksuar pushimesh, gjithsesi skërmit dhëmbët dhe shtrembëron buzët, teksa e sheh veten aty në mes, as andej as këtej, duke bërë “revolten” tënde me ç’të mundesh (duke u zënë me gjithë botën apo duke bërë ufff tërë kokës).

Kjo sepse pushimi do të mungojë aq shumë, sa refuzon të fillosh rutinën. Refuzimi vjen në formën e një reagimi fiziologjik si psh; lodhje apo “këputje”, mungesë oreksi ose tepri (varet…) ndjenja të forta nostalgjie, stres dhe në disa raste pak depresion (po fare pak ama…) L

Por jemi të detyruar të pranojmë se pushimet kanë limit, se të dëshpëruar kemi bërë gati valixhen e kthimit, dhe që “zvarrë zvarrë” jemi kthyer në realitet, tek punët e përditshme, tek përgjegjësitë, tek rutina…dhe aty kemi humbur pak.

 

Sa zgjat ndjenja e mospranimit të sindromës  ‘festa mbaroi”…?

Në përgjithësi kjo gjëndje ikën me kalimin e kohës, zgjat kryesisht vetëm pak ditë (kaq ditë sa mjaftojnë për tu grindur me gjithë botën ndaj kujdes).

Së pari bie aftësia jonë e të menduarit cilësisht, lëvizim dhe reagojmë më ngadalë, vuajmë nga dhimbja e kokës dhe hasim në apati të dukshme, është shumë e natyrshme që kjo gjë të afektojnë produktivitetin tonë. Me të drejtë ulet rendimenti i gjërave që ne bëjmë gjatë 24 orëve. Nga sa thamë më lart, në këtë periudhë është shumë normale te perhumbesh pak e madje ta gjesh veten duke “dremitur” në punë, sepse trupi kërkon më shumë kohë të shlodhet dhe me zor e kap ritmin. Ndaj këtë mungesë tempi trajtojeni si të tillë duke ia vënë fajin verës dhe stresit të pas pushimeve dhe jo shefit që ju mendoni se ju ka dhënë ekstra punë.

 

Çfarë këshillohet, a ka terapi që ndihmojnë për të kaluar këtë situatë dhe cilat janë ato?

Së pari duhet të pranosh që pushimi mbaroi, se u kenaqe pafund, ke 2000 foto të bukura (që do ti postosh në vazhdim), ke bërë miq të rinj me të cilet mund ta ruash shoqërine online, ke parë një vend të ri, ke shijuar dhe pastaj ke mësuar një gatim të ri të atij vendi, ke marrë një ngjyrë të bukur lëkure, ke lexuar një libër të bukur e të lehtë pushimesh, etj etj.

Këshilla në këtë rast, është të mendosh se do shkosh sërish me pushime, sepse po vjen fundjava…apo mund të dalësh që sot në darkë me miqte dhe kolegët për të bërë terapi grupi, sidomos nëse jeni “bashkëvuajtës” nga sindroma e pas pushimeve.

Pra, konsideroje si eksperience që të ka dhënë shumë dhe integroje në jetën tënde. Le të shërbejnë ditët e pushimeve të kaluara si një mbushje me energji, energji me të cilën do të shkëlqesh në jeten e përditshme. Qesh! (dhe organizo tjetër pushim J

 

Leave a Comment